E diela e dytë e muajit gusht e çdo viti, prej rreth 14 vitesh tashmë, nuk është e zakonshme për banorët e Gurit të Bardhë në Mat. Të gjithë të lindurit apo me origjinë nga ky fshat me tradita e histori, mblidhen të gjithë bashkë nga kudo ku jetojnë, anë e mbanë vendit apo në emigracion.
Fëmijë, të rinj e deri në tre breza mblidhen në vendin e quajtur Gujë, ku festojnë e gëzojnë me njëri-tjetrin festën e përvitshme e tradicionale të kësaj zone “Festën e Gujës”.
Festa nis me këngë e valle tradicionale të zonës.
“Ftoj në vallen e parë motrat, nënat e vajzat tonë të Gurit Bardhë, të kërcejn vallen tradicionale të zonës”, tha Resul Baleta.
“Synimi i kësaj feste është njohja e brezave të rinj me njëri-tjetrin”, tha Resul Baleta, banor i Gurit Bardhë, njëkohësishtë edhe një prej organizatorëve të festës së Gujës.
I emocionuar Baleta tregon se “Festa e Gujës” ia ka arritur qëllimit të saj fisnik, teksa rrëfen se pikërisht këtë të diel, pasi pas 25 vitesh emigrim banorët e Gurit të Bardhë u takuan për herë të parë një emigrant të kthyer në vendlindje për pushime.
“Kemi takuar një djalë pas 25 vitesh emigrim, këtu harrojmë hallet e problemet që kemi”.
Nuri Dada është vetëm një prej emigrantëve që jeton në Itali dhe që qëndron besnik ndër vite në festën e fshatit. Në Gurë të Bardhë, Nurin nuk e rikthejnë vetëm të afërmit, por tashmë edhe “Festa e Gujës” për të takuar bashkatdhetarët e tij me të cilët një pjesë prej tyre është rritur dhe ka kaluar kujtimet më të mira të fëmijërisë.
Pavarësisht problemeve të moshës, temperaturave të larta të gushtit, apo edhe problemeve infrastrukturore të rrugës, edhe të moshuarit sakrifikojnë nga e përditshmja e tyre për t’ju bashkuar festës së veçantë.
“Po e kalojmë shumë bukur, kam ardhur me djalin e nusen. Vij çdo festë”, tha Mehrie Çeku, banore e fshatit.
“Sot po kalojmë jashtëzakonisht mirë në festën e Gujës, e kemi festë tradicionale të fshatit”, tha Haziz Çallaku, banor i fshatit.
Kur bëhet fjala për festë, sigurisht të vegjlit mbeten lezeti i saj.
Në një ditë, organizimet janë të ndryshme nga ata që mbizotërojnë si këngë e valle tradicionale të zonës, deri tek lojërat e ndryshme sportive, apo panairet.
Banorët marrin bukë dhe ushqime me vete, për t’i konsumuar nën hijet e freskëta të pemëve, ndërsa shkëmbejnë edhe nga një gotë birrë nën shoqërinë e njëri tjetrit. Që gjithçka të jetë gati të dielën, përgatitjet nisin që një ditë para.
“Që mbrëmë të shtunën kemi pasur rreth 100 persona që ngritën çadrat e tyre, kampet. Pregaditjet nisin një natë para. Kemi aktivitete të ndryshme nga këngë e valle tradicionale të zonës, deri tek lojrat sportive apo panairet”, u shpreh Avni Hysa, një prej organizatorëve të festës.
Çastet e lumtura mbeten gjatë në memorie, por, pavarësisht kësaj organizatorët e festës e ka edhe një mesazh për pushtetin vendor, Bashkisë Klos, për mbështetje financiare në vitet e ardhshme për një festë sa më të kompletuar.
“Është me vështirësi se ka nevojë për financime. Financimi nga bashkëfshatarët, më shumë emigrantët. Pushteti vendor nuk na ka ndihmuar. Bashkia jonë nuk ka mundësi me na dhënë ndihma, sidomos për festën e Gujës jo e jo”, shton Baleta ndër të tjera.
“Pavarësisht mbështetjes që nuk e kemi pasur, por ne do ja dalim si gjithmonë”, përfundon Hysa.
Guri i Bardhë është një ndër 100 fshatrat turistik të vendit, me një pasuri të shumtë natyrore, kulturore, traditës dhe kulinarisë. “Festa e Gujës” u mbajt për herë të parë në vitin 2010 nga një grup emigrantësh të rikthyer në vendlindje për pushime. Por, përse banorët e zonës vendosën të mblidheshin në Gujë, nga ku mori edhe emrin festa?
“Guja i ka të gjitha, freskia, uji, rrugën, është një destinacion më në zemër të vendit për tu mbledhur”, ndan detajet Baleta.
Në festë nuk mungon as kënga e “Kurbetqarit”, si të ishte dedikuar për të.
Në fund, ftesa për takimin në festën e ardhshme.
“E diela e dytë e gushtit 2025, radha e festës”, shprehet Hysa.
Organizatorët ishin kujdesur deri në detaj, duke siguruar edhe praninë e uniformave blu, për çdo incident të mundshëm , edhe pse gjithçka shkoi siç ishte parashikuar.
Festa nuk mund të mbyllet pa një kafe te Bujtina “Te Mulliri”.